Banka Shqiptare e Zhvillimit, 3.3 mln euro konsulencë, nga kuadri strategjik tek modeli i biznesit
Banka Shqiptare e Zhvillimit ka hapur një tender prej rreth 3.3 milionë euro për ndërtimin e kuadrit strategjik dhe operacional të institucionit të ri financiar shtetëror.

Procedura e prokurimit, me fond limit 315 milionë lekë, synon përzgjedhjen e një operatori ekonomik që do të mbështesë ngritjen e strukturës funksionale të Bankës Shqiptare të Zhvillimit (ADB).
Sipas dokumenteve të tenderit, financimi do të mbulohet nga vetë banka, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është përcaktuar data 24 qershor 2026.
Konsulenca do të ndërtojë modelin strategjik dhe operacional
Termat e referencës tregojnë se kompania fituese do të ketë rol kyç në ndërtimin e modelit strategjik dhe funksional të bankës.
Shërbimet e kërkuara përfshijnë hartimin e kuadrit strategjik, planifikimin industrial dhe financiar shumëvjeçar, ndërtimin e modelit të biznesit dhe modelit financiar, si dhe përgatitjen e dokumenteve të qeverisjes dhe koordinimit institucional.
Kontrata përfshin gjithashtu mbështetje për menaxhimin dhe zbatimin e projektit përmes strukturës PMO, koordinimin ndërmjet shtyllave të projektit dhe asistencë operacionale gjatë gjithë periudhës së implementimit.
Në dokumente specifikohet se konsulenca duhet të mbulojë fusha si qeverisja korporative, menaxhimi i riskut, produktet bankare, financimi, teknologjia e informacionit, burimet njerëzore dhe operacionet bankare.
Kërkohet model europian organizimi
Metodologjia e kërkuar nga autoriteti kontraktor përfshin analizë krahasuese me modele të ngjashme ndërkombëtare, vlerësim të projekt-planit, hartim të planit industrial dhe të biznesit, si dhe mbështetje për çështjet ligjore dhe të qeverisjes.
Dokumentet parashikojnë gjithashtu koordinim të vazhdueshëm me institucionet dhe aktorët e përfshirë në proces.
Autoriteti kontraktor ka vendosur që kontrata të mos ndahet në lote, me argumentin se të gjitha shërbimet konsiderohen pjesë e një sistemi të vetëm funksional dhe të ndërlidhur.
Sipas dokumenteve, ndarja e kontratës mund të sillte probleme metodologjike, mungesë koordinimi dhe vonesa në zbatimin e projektit.
Kontrata do të zgjasë 16 muaj
Kohëzgjatja totale e kontratës është parashikuar deri në 16 muaj nga momenti i nënshkrimit.
Faza e parë e projektit duhet të përfundojë brenda katër muajve të parë dhe do të fokusohet në ngritjen fillestare të kuadrit strategjik dhe operacional.
Banka nisi zyrtarisht krijimin vitin e kaluar
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në vitin 2025 ligjin “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, duke hapur rrugën për krijimin për herë të parë të një institucioni të tillë financiar në vend.
Banka Shqiptare e Zhvillimit u regjistrua zyrtarisht në regjistrin tregtar në dhjetor 2025 dhe pritet të nisë aktivitetin gjatë këtij viti.
Për momentin, aksioneri i vetëm i bankës është shteti shqiptar përmes Ministrisë së Financave.
Në krye të institucionit është emëruar Silvio Pedrazzi, ish-drejtor i përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Në fund të muajit mars, qeveria realizoi edhe derdhjen e këstit të parë të kapitalit aksionar të bankës, në vlerën e 1 miliard lekëve.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)